Procesi i verifikimit të votave për kryetar të komunave në Qendrat e Komunale të Numërimit po vazhdon normalisht. Ndonëse ky proces po shkon drejt fundit, KQZ-ja ende nuk ka një datë për rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se KQZ-ja është e angazhuar maksimalisht që sa më shpejt të dihen rezultatet përfundimtare.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se deri të premten në mëngjes 23 komuna kanë përfunduar verifikimin në QKN.
“Aktualisht në Qendrat Komunale të Numërimit është duke u bërë verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për kryetar të komunave dhe verifikimi i rezultateve të zgjedhjeve për kuvende komunal. Më shumë se gjysma prej tyre tashmë kanë përmbyllur këtë proces dhe ato që kanë mbetur pritet ti shtohen është komunat tjera gjatë ditës së sotme, e premte, por edhe gjatë fundjavës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se shpallja e rezultateve përfundimtare varet nga procesi i verifikimit në QKN.
“KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve pasi përfundojnë të gjitha procedurat në këto qendra komunale të numërimit si dhe pasi të bëhet numërimi i votave jashtë Kosovës, i votave të personave me nevoja të veçanta si dhe numërimi i fletëvotimeve me kusht. Pasi ta përmbyllet të gjitha këto procedura që parashihen me ligj, KQZ është në gjendje të shpall rezultatin përfundimtarë”, është shprehur Elezi.



